Print this page

Dita Botërore e Habitateve

Në kuadër të Ditës Botërore të Habitateve, rrjeti i organizatave mjedisore për “Mbrojtjen e Natyrës”, i formuar në kuadër të projektit SENiOR-A, organizoi një aktivitet sensibilizues pranë Kënetës së Kashtës në Kukës. Ky territor dhe habitatet përreth tij u morën si simbole me rastin e kësaj dite, për shkak të pranisë të një mjedisi natyror me ndikime minimale nga ndërhyrja e dorës së njeriut. Këneta e Kashtës është një ekosistem ligatinor në gjendje natyrore mjaft të mirë dhe që aktualisht gëzon statusin “Monument Natyre”. Ajo shërben si vendpushimi dhe frekuentimi nga një numër i madh shpendësh migrues dhe njëkohësisht si streha për disa specie të tjera.

Aktiviteti u realizua nga organizata lokale e Mbrojtjes së Mjedisit, Kukës, në bashkëpunim me INCA-n, me pjesëmarrjen e të gjitha organizatave anëtare të rrjetit, përfaqësues të pushtetit vendor, organizatave të shoqërisë civile lokale, mediave kombëtare dhe lokale.

Kombet e Bashkuara kanë përzgjedhur të hënën e parë të Tetorit si Ditën Botërore të Habitateve në përkujtim të përvjetorit të konferencës së parë Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara mbi kolonizimet njerëzore, mbajtur në Vankuver, Kanada në 1976-ën. Qëllimi i ditës Botërore të Habitateve është ti kujtoj botës përgjegjësitë e saj në të ardhmen e habitateve të qëndrueshme mjedisore. Edhe në Shqipëri prej disa vitesh ka filluar të ndërmerren nisma të ndryshme dhe aktivitete ndërgjegjësuese në kuadër të kësaj dite.