Print this page

Marrëveshje për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Valbonë

Lugina e Valbonës, Bajram Curri, 24 Prill 2014 –  Nën peisazhin malor të Parkut Kombëtar “Lugina e Valbonës” u nënshkrua sot Marrëveshja për zhvillimine turizmit midis përfaqsuesve të WWF Mesdhe, Ministrisë së Mjedisit, qeverisjes lokale, shërbimeve të mikpritjes dhe komunitetit të zonës. Ky angazhim nënkupton që Parku i Valbonës do të ndërtojë në vitet në vijim, standarte të turizmit që njohin dhe ruajnë vlerat e natyrës,respektojnë traditat kulturore të vendit, promovojnë prodhimet lokale,  duke i dhënë njëkohesisht asaj njohjen ndërkombëtareqë i takon si destinacion elitar. Marrëveshja e sotme  u arrit pas 6 muaj pune përgatitore të projektit  Parqet Dinarike të Shqipërisë dhe u nënshkrua ne prezencën e më shumë se 40 pjesëmarrësve nga komuniteti i zonës, gazetarë të mediave qendrore e lokale.

“Ky është një moment i rëndësishëm për të ardhmen e trashëgimise natyrore te zonës Valbonë- tha Andrea Stefan, përfaqësuese e WWF - “Marrëveshja e WWF me grupet lokale të interesit  shënon fillimin e proçesit që do të vendosë Valbonën në hartën e parqeve europiane më të vizituar. Certifikimi si park europian me turizëm te qëndrueshëm është mjet i shkëlqyer për promovimin e turizmit dhe zhvillimin e ekonomisë së zonës. Kështu njerëzit dhe natyra punojnë së bashku për të bërë më të mirën për Valbonen“.

 

Ndërsa përfaqësuesit e qeverisjes lokale  ishin entuziastë për të ardhmen e kësaj iniciative.“Ne jemi krenarë t'ju tregojmë turistëve bukuritë e Valbones sonë. Por mbi tëgjitha duam që vizitorët e huaj dhe vendas të njohin mikpritjen e malësorit dhe thesaret e kulturës sonë. Me anë të çertifikimit të Parkut Valbonë ne synojmë të promovojmë produktet ushqimore dhe artizanale të zonës si markat tona lokale“ –u shpreh Rexhë Biberaj, Kryetar i Komunës Margegaj.

Ekspertët e WWF dhe INCA (Instituti për Ruajtjen e Natyrës Shqipëri) do të mbështesin grupet e interesit të zonës Valbonë drejt ngritjes së nje modeli të ri turizmi në parqet kombëtare që mund të ndiqet në të ardhmen nga 14 parqet e tjerate Shqipërisë. Puna e përbashkët në një forum të përhershëm të aktorëve lokalë dhe përgatitja e një strategjie zhvillimi janë dy prej kritereve më të rëndësishme në proçesin e aplikimit për çertifikim. Në përpjekje për t’a bërë rajonin e Parqeve Dinarike një markë turistike tërheqëse për turistët e huaj, WWF po mbështet në të njëjtën mënyrë 16 parqe të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Federatën Europiane të Parqeve.