Premte, 17 Maj 2024
Login | Mail

INSTITUTI PËR RUAJTJEN E NATYRËS NË SHQIPËRI

Njoftime

Albanian CSOs’ in the EU membership negotiation process

12 Nentor 2020

Albanian CSOs’ in the EU membership negotiation process

Ekosistem Inovativ të menaxhimit të mbetjeve

01 Korrik 2020

Bashkëpunimi i 4 vendeve të rajonit për krijimin e një Ekosistemi Inovativ të menaxhimit të mbetjeve - Projekti S.W.A.N, i...

Udhëzime për të kontribuar në Ditarin e Natyrës

09 Qershor 2020

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri mirëpret artikuj të ndryshëm të cilët ju dëshironi t’i publikoni në Ditarin e...

Fuqizimi i kontributit të sektorit të shoqërisë civile në negociatat për anëtarësimin në BE për Kapitullin 27

27 Maj 2020

Fuqizimi i kontributit të sektorit të shoqërisë civile në negociatat për anëtarësimin në BE për Kapitullin 27” Hyrje Rrugëtimi...

ipa

                         csm logo 0c8a4cdd39          blueland
     ProjektiAdvokacise

Na kontaktoni

facebookwebmailgooglemap
Rezervati Natyror Kune - Vain

Rezervati Natyror Kune - Vain (3)

Merkure, 11 Shtator 2019 15:21

Rezervati Natyror i Menaxhuar “Kune-Vain-Tale”

Written by
Rezervati Natyror i Menaxhuar “Kune-Vain-Tale”


Vendndodhja: Qarku i Lezhë.


Sipërfaqja totale: 4,393.2ha


Statusi: Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror, Kategoria e IV-t (IUCN). Shpallur me VKMnr.432, datë 28.04.2010.Zonë e rrjetit EMERALD dhe zonë IBA, miratuar me urdhër të ministrit të Mjedisit nr. 283, datë 10.04.2013.

Ka shtrirje V-J, 10-15km dhe L-P, 3km, ky rezervat është sistemi ligatinor më i ndërlikuar, i vendosur në deltën e rrjedhjes së poshtme të Drinit të Lezhës, në breg të detit Adriatik. Ndodhet në bashkinë e Lezhës të qarkut homonim, shumë afër qytetit të Shëngjinit dhe pranë fshatrave Ishull Lezhë, Ishull Shengjin, Tale etj.Përfshin habitate tokësore, laguna, moçale dhe këneta.Ishulli i Kunes është një ZM e veçantë, shumë i rëndësishëm për zogjtë IBA, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Këtë status ia japin Ardeidet dhe Phalocrocoridet.

Territori i rezervatit përbëhet nga depozitime kënetore, detare e lumore të kuaternarit. Të parat përfaqësohen nga argjila, rëra argjilore e rëra të imëta, me trashësi rreth 1 m, ndërsa trashësia e tokave të pasura me lëndë organike arrin 0,1-0,2m. Depozitimet detare, kryesisht rëra, formojnë brezin 100-300m të gjerë dhe 20-25 të thellë në bregdetit.

Laguna e Kënallës (rreth 20ha); Laguna e Kune/Merxhanit (rreth 360ha); Vija e Kularit; Kompleksi i lagunave të Vainit, rreth 9km2 përbëhet nga laguna e Cekës 4,9km2, e Zajës 2,4km2 dhe të tjera më të vogla (Fundi i Lymit, Shulëza, Gjoli i Buajve etj.). Komunikimi mes lagunave dhe detit realizohet nëpërmjet kanalit të Matkeqes, tashmë i mbyllur dhe kanalit Zajet/Drin. Në kanalet e vogla shkëmbehen ujërat midis lagunave të Zajet dhe Cekës.

Tokat e rezervatit lidhen me dinamikën e grykëderdhjes dhe të shtatit të Drinit të Lezhës, me dinamikën e bregut detar dhe me veprimtarinë e njeriut. Takohen disa tipa tokash: aluviale (Eutrix fluvisols), të varfra dhe alkaline pranë shtratit të lumit, të lidhura me vërshimet e tij; arenosolet, kryesisht në bregdet dhe disa herë në thellësi të masivit, të krijuara nga transportit selektiv i materialeve të ngurta nga ujërat detare dhe lumore, vende-vende, kur janë shkatërruar dunat, të mbuluara me pisha (Pinus Maritima); të kripura, që janë rëra me kripëzim të lartë në pjesën e sipërme; glay hydromorphis, tipike për zonat kënetore, zakonisht të kripura dhe me tri shtresa; Eutrix (Cambisols), të formuara nga procesi i transformimit në tokë bujqësore, të thella me shumë lagështi dhe argjila në pjesën e poshtme.

Janë identifikuar rreth 277 specie të bimëve vaskulare, të përfshira në 67 familje dhe 202 gjini.Numrin më të madh të specieve bimore e shënon familja Graminaceae, me rreth 35 specie, e ndjekur nga familja Composiates, me 24 specie etj. Larmia e faunës, e kushtëzuar nga tiparet fiziko-gjeografike të zonës, shprehet në numrin e madh të specieve: rreth 110 lloje planktonësh, 17 specie molusqesh, 117 tipa insektesh, 59 lloje krustacesh, 10 lloje amfibesh, 29 specie reptilash, 26 specie peshqish, 196 lloje zogjsh, 23 lloje gjitarësh.

Rezervati përmban peizazh tokësor, ligatinor dhe detar tërheqës. Ai përbën një sistem lagunash, të lidhura me njëra-tjetrën nga Drini i Lezhës.Karakteristikat fizike të mjedisit kanë krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e habitateve shumë të qëndrueshme, që ofrojnë strehë, ushqim dhe mundësi riprodhimi për shumë lloje speciesh.Habitati estuarin është më i rëndësishëm dhe me shtrirje më të madhe, 64% të rezervatit. Takohen këta tipa kryesorë vegjetacioni: bimësi ujore, hidro-higrofile, halophys, psamofile, pyje dhe shkurre.

Ka vegjetacion ujor (të ujërave të njelmëta e të ëmbla) të shprehur mirë, me shtrirje të kallamishteve të ndërthurur me pasqyra uji. Speciet kryesore të vegjetacionit ujor janë: Zosterra noltii dhe Ruppia cirrhosa. E para mbulon rreth 40% të shtratit ujor dhe është e vendosur më së shumti në fundin kënetor të lagunave.R. cirrhosa gjendet më tepër në ujërat e cekëta dhe të qeta.Shpesh, të dyja speciet krijojnë një komunitet bimor monolit.Së bashku me algat, formojnë disa biocenoza, që janë një nga burimet e oksigjenit në ujërat e lagunës.

Bimësia hidro-higrofilike mbulon një pjesë relativisht të madhe të lagunës së Kune-Vainit. Përbëhet nga komuniteti i Phragmites australis, shumë i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve mjedisore dhe i përhapur më shumë në brigjet e lagunës, sidomos të Cekës; komuniteti me Typha angustifolia, më pak i përhapur në lagunë se i pari, në formën e brezit përgjatë lumenjve, kanaleve apo rrjedhjeve të tjera; komuniteti me Scirpus s. etj.

Bimësia halofile, e përhapur në zonat me kripëzim të madh, shprehet me: komunitetet me speciet dominuese Arthrocnemum genera (Arthrocnemum fruticosum, A. perenne, A. glaucum, Salicornea europaea etj.), që jetojnë në tokat kënetore me shumë kripë, të mbuluara nga uji në pjesën më të madhe të vitit; komunitetet me specie mbizotëruese Juncus genera, të përfaqësuar nga Juncus acutus dhe Juncus maritimus, që shpesh formojnë breza të pandarë dhe, në ndonjë rast, të ndërthurur me komunitete të tjera si Arthrocnemum sp.; komuniteti i Juncus acutus, shumë i qëndrueshëm ndaj ujërave të kripura; komuniteti me dominim të specieve të Scirpus holoschoenus, Saccarum ravennae etj., me shtrirjetë vogël, pas dunave ranore mes komuniteteve të tjera; vegjetacioni i dunave ranore, psamofil, në formë brezi; speciet pioniere pas bregut, si: Cakile maritime, Xanthium stumarium. Rol më të dukshëm luan Cyperus capitatus, Euphorbia palasis etj.

Bimësia e lartë përbëhet nga pyjet dhe shkurre tipike mesdhetare.Komuniteti pyjor, rreth 20 ha, është i përqendruar kryesisht në ishullin e Kunes dhe Zajet.Dallohen komunitetet me specie mbizotëruese të Alnus glutinosa dhe Fraxinus angustifolia. Ka edhe Ulmus minor, Quercus robur, Populus albaetj. Nënkati i shkurreve përbëhet nga specie mbizotëruese Rubus ulmifolius, Tamarix dalmatica etj.Nënkati barishtor është i pasur me Lythrum salicaria, asparagus acutifolius etj.Në malin e Rencit ka pyll të rrallë dushku (Quercus trojana).Në gjendje natyrore rritet edhe shega (Punica granata).

Larmia e habitateve dhe e tipareve të tyre natyrore ose gati natyrore ka krijuar kushtet për larmi speciesh të faunës.Larmia dhe pasuria e shpendëve të ujit, me rëndësi të veçantë, ka qenë motivi i shpalljes së saj “Rezervat Gjuetie” në vitin 1940. Ndër gjallesat e egra, rëndësi kanë sidomos speciet e cilësuara të rrezikuara në shkallë botërore, si: karabullaku (Phalacrocorax Pygmeus) dhe lundërza (Lutra lutra). Ka edhe specie të tjera të rrezikuara në shkallë botërore që vizitojnë zonën, si: Rhinolopus euryale, Rh ferrumequinum, Milvus migrants, Rana balcanika, R lessone etj. Mes zogjve, më të rëndësishmit në nivel vendor dhe kombëtar janë Ardeides, si Ardea cinerea, Egretta garzetta, Egretta alba. Për Ardea cinerea dhe Egretta garzetta, Laguna e Kune–Vainit është e vetmja zonë shumimi në Shqipëri.Ndër shpendët rrëmbyes me dendësi më të lartë në vendin tonë, dallohen shqiponja e malit (Aquila chrysaetus) dhe petriti (Falco peregrinus) dhe lloje të rralla që mbrohen nga disa konventa.Vizitohet shpesh nga breshka deti dhe foka mesdhetare, me rëndësi të veçantë në ekosistemin mesdhetar.Zona luan rol në rregullimin e ujëkëmbimit dhe në rigjenerimin e mjedisit.

Ligatinat e përbëra nga ujëra bregdetarë, laguna e këneta, ujëra të ëmbla (lumenjtë dhe kanalet kullues) etj.kushtëzojnë praninë e shumë specieve peshqish me vlera ekonomike. Për shekuj, komuniteti ka peshkuar në këtë zonë.Shumë familje që jetojnë përreth, i sigurojnë të ardhurat bazë nëpërmjet peshkimit dhe tregtimit të peshkut.Por trysnia ndaj tyre është rritur në mënyrë dramatike gjatë shekullit të fundit.

Panorama e mrekullueshme, trashëgimia e pasur natyrore, por edhe kulturore që shprehet në veshjet, muzikën dhe gatimin tradicional, vlerat arkeologjike përreth, kushtet dhe mjetet lehtësuese për vizitorët, përbëjnë potenciale të mëdha turistike.

RNM "Kune-Vain-Tale” menaxhohet dhe trajtohet nga AKZM, nëpërmjet AdRZM, qarku i Lezhë. Për këtë RNM është hartuar dhe miratuar plani i menaxhimit.
Shtune, 06 Korrik 2019 10:19

Problematikat

Written by
PROBLEMATIKA:


Procesi i identifikimit dhe analizimit të problemeve kryesore dhe të ndikimeve negative në menaxhimin e parkut, janë mbështetur edhe në dispozitat e ligjit nr. 81, datë 04.05.2017 “Për zonat e mbrojtura”, në lidhje me veprimtaritë e lejuara, të ndaluara dhe që kërkojnë leje, sipas kategorive të zonave të mbrojtura, në dokumentet strategjike dhe politikat kombëtare, në raportet e gjendjes në mjedis, në raportet dhe monitorimet për ndikimet në ZMM dhe të bashkëbisedimeve me grupet e interesit. Veç kësaj për procesin e identifikimit dhe analizimit të problemeve kryesore dhe të ndikimeve negative në menaxhimin e parkut, u këshilluam edhe me planin e menaxhimit.

Të gjitha ndikimet e identifikuara janë shqetësime të banorëve dhe të përdoruesve të burrimeve natyrore, të administratave përkatëse, të cilët kanë marrë pjesë aktive në hartimin dhe miratimin e listës së impakteve. Varësisht nga rëndësia e problematikave të shtruara në bashkëbisedimet e hapura me grupet e interesit për të finalizuar listën e faktorëve të degradimit dhe të ndikimeve negative në territorin e parkut, konstatohet si më poshtë:

  • Veprimet që shkaktojnë dëmtime, degradim, fargmentim, varfërim dhe copëtim të habitateve, ekositemit dhe peizazhit, në një masë të konsiderueshme duke humbur edhe lloje të veçanta e të rëndësishme të florës dhe faunës.
  • Cënim/Rënia e numrit të llojeve, të endemizmave apo të vlerave të larta, me interes për komunitetin evropian si dhe kërcënimit të statusit mbrojtës, erozion gjenetik apo dhe introduktim të llojeve të huaja.
  • Mbishfrytëzimi dhe përdorimi i mekanizmave jo ligjor në zonat me burime të pasura natyrore ka sjellë zhdukjen e disa llojeve të bimëve, shpendëve, të peshkut apo dhe të habitateve e llojeve të rralla e të kërcënuara.
  • Zvogëllimi, dëmtimi apo tjetërsimi i sipërfaqes pyjore, prerjet abuzive dhe mbikullotje e pakontrolluar dhe rreziku i përhapjes së zjarreve. Dëmtimi i pyjeve ka sjellë shkatërrime në shoqërimet bimore, rrezikimin e zhdukjes së llojeve bimore e shtazore, etj.
  • Përndjekja e shpendëve dhe të kafshëve të egra, gjuetia, mbipeshkimi, peshkimi ilegal dhe përdorimi i mjeteve të ndaluara.
  • Përmbytjet dhe erozioni i tokave bujqësore, bregdetare, i brigjeve të lumenjëve, ka rrezikuar jo vetëm humbje të sipërfaqeve të tokës dhe pyjeve, por edhe humbje të trashëgimisë kulturore.
  • Lumenjt, përrenjt dhe brigjet e tyre janë tejshfrytëzuar për marrje inertesh, ndërtime gjithfarëllojshme, duke shkaktuar denatyrim të shtretërve.
  • Gërmimet apo dhe marrja e rërës dhe e zhavorit janë tej të dëmshme për ZMM e peizazhin, duke shkaktuar denatyrim të tyre.
  • Mungesa e parandalimit të veprimtarive të paligjshme; aktivitete të shfrenuara njerëzore dhe tejpopullim të zonave natyrore kanë cënuar shumë territore dhe lloje të marra në mbrojtje nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare.
  • Urbanizimi, ndërtimi i infrastrukturës, ndërtimet pa leje, qendrat turistike, fshatrat, i fermave, plantacioneve, etj. të kësaj natyre që bëhen mbi peizazhet dhe zonat me vlera natyrore si dhe mbi botën e tyre të gjallë, nuk përfshijnë thjesht reduktimin e sipërfaqeve të disa formave të vegjetacionit dhe zgjerimin e disa të tjerave, por edhe fragmentizimin e vegjetacionit, për rrjedhojë përkeqësimin e cilësisë së ujërave dhe peizazheve.
  • Mbetjet e ngurta, hedhja e inerteve, shtimi i ndotjes nga mbetjet urbane e rurale, duke shkatërruar ndotje të ekosistemeve tokësore dhe ujore. Mbetjet e ngurta të ndërtimeve vlerësohen ndotje kritike, duke krijuar vatra informale depozitimesh që kërkojnë investime të mëdha për heqjen dhe transportimin e tyre.
  • Përdorimi dhe mostrajtimi i materialeve si kanaçe alumini, ambalazhe plastike, qelq, hekur, vajra lubrifikantë, pjesë elektronike, mungesa e landfilleve, etj.
  • Shkarkimet e pa trajtuara kanë sjellë edhe rritjen e shkalles së eutrofikimit të ujërave. Tashmë, ndotjet e përqëndruara të ujërave të zeza janë faktor kërcënues dhe problem mjedisor shumë i mprehtë. Shkaku kryesor i eutrofikimit (në dhe laguna), ndotjes së ujërave mbetet derdhja e ujërave të zeza të patrajtuara dhe mungesa e ndërtimit të impianteve të përpunimit.
  • Lëndët ndotëse janë faktorë me ndikim të madh në cilësinë e jetës biologjike dhe shëndetit të njeriut. Ndotjet më të mëdha vijnë dhe nga mbetjet urbane e rurale, pesticidet dhe perdorimi i plehrave nga bujqësia, nga derdhja e mbeturinave të peshkimit pas përpunimit, nga derdhjet e hidrokarbureve apo dhe shkarkimet e anijeve.
  • Menaxhimi joefektiv i aktiviteteve rekreative, mosmenaxhimi i vizitorëve dhe i mbeturinave të ngurta që ata prodhojnë. Turizmi i paorganizuar, zhvillimi i veprimtarive të mëdha sportive, argëtuese, çlodhëse, garat motorike të rrellit, etj.
  • Zhvillimi i aktiviteteve të paligjshme kanë cënuar shumë territore e lloje të marra në mbrojtje nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare. Praktikat e gabuara në mjaft raste kanë sjellë pasoja shpesh të pakthyeshme, pasi zinxhiri i jetës biologjike është i lidhur me sigurimin e cilësisë së jetës biologjike të ekosistemeve.
  • Mos respektimi si dhe sa duhet i ligjit dhe problemet e pronësisë dhe të kthimit e kompesimit të pronave.
  • Ndryshimet klimatike, rreziqet natyrore, përmbytjet, tërmetet, janë faktor kërcënues në nivel global, por dhe në nivel vendor për larminë biologjike. Në këtë kontekst, autoritetet qendrore dhe vendore luajnë rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e kërcënimeve që vijnë nga ndryshimet klimatike, të cilat ende nuk kanë vëmendjen e duhur për t’iu paraprirë.
Lista kryesore për Rezervatin Natyror të Menaxhuar “KUNE-VAIN-TALE”


1

Urbanizimi, ndërtimet, infrastruktura betonizuese, turizmi masiv.

2

Mostrajtimi i ujërave të zeza dhe të përdorura, shkarkimet në bregdet, lumenjë, laguna, kanale dhe pyje.

3

Ndotja e mjedisit, bregdetit, lagunave, lumenjve, pyjeve nga mbetjet urbane e rurale dhe hedhja e inerteve.

4

Zjarret.

5

Shqetësimi dhe gjuetia e faunës së egër.

6

Praktikat e paqëndrueshme të peshkimit, bllokimi i rrugëve të migrimit.

7

Dëmtimi, modifikimi, shkatërimi dhe copëtimi i habitateve, peizazhit, futja e llojeve invazive.

8

Erozioni tokësor, bregdetar, i brigjeve të lumenjëve dhe prurjet e larta të sedimenteve.

9

Prerja e pyjeve, zvogëlimi i sipërfaqes.

10

Praktikat bujqësore intensive, përdorimi i pesticideve dhe i plehrave.

 

Ndotja e mjedisit bregdetar nga shakarkimet e anijeve.

 

Kërkimet dhe çpimet dhe depozitat për hidrokarbure dhe gaz.

Shtune, 06 Korrik 2019 10:19

Aktivitetet e projektit

Written by

Projekti "Promovimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore të ekosistemit të rezervatit natyror Kune-Vain-Tale", zbatohet nga Klubi Ekologjik Lezhë


1Takimi hapjes së projektit “Promovimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore të ekosistemit të rezervatit natyror Kune - Vain - Tale"

Lezhë, dt.10.05.2019 - Në sallën e Bibliotekës së Bashkisë së Lezhës u zhvillua takimi hapjes së projektit ku morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Lezhë, drejtori i AdRZM Lezhë, z.Pjetër Toni dhe antarë të stafit të tij, përfaqësues nga Njësia Administrative Shëngjin, gazetarë, specialistë të mjedisit, etj. Aktiviteti u hap nga z.Zef Imeraj, drejtor ekzekutiv i KEL ndërsa në emër të INCA, përshëndeti pjesmarresit z.Nihat Dragoti, drejtor ekzekutiv i INCA.
Në ketë takim u bë prezantimi i të gjithë komponenteve të projektit nga eskpert i mjedisi z. Jak Gjini, duke i adresuar çështjet me aktoret kryesorë të përfshirë në zbatimin e tij si dhe përfituesve të tij me qëllim informimin, rikonfirmimi e sigurimin e mbështetjes gjatë zbatimit të tij.
Më pas takimi vazhdoi me pyetje e përgjigje që lidheshin me sqarime teknike, organizative etj për garantimin e suksesit të aktiviteteve të projektit si p.sh. për rivitalizimin e lumit Drin, mbajtjen pastër të tij, bashkëpunimin me subjektet e peshkimit, menaxhimi i resurseve dhe aseteve të turizmit dhe marrdhëniet me ekostemin në tërsi si njësi ekologjike.
Ndërsa diskutimet u përqëndruan në synimet e projektit, duke identifikuar si produkt kryesor të tij informimin, ndërgjegjësimin e pjesmarrjen aktive të të gjithë aktoreve të interesuar në advokimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me mirëadministrimin dhe përdorimin e qëndrushëm të burimeve natyrore të ekosistemit KVT.  Po kështu u qartësuan rrugët se si arrihen ndryshimet sipas objektivit, duke i dhënë rëndësinë e duhur punës në rrjet. Aktiviteti u mbyll me konkluzionet dhe planin e punës si dhe u karakterizu nga një frymë mirëkuptimi e besimi për zbatimin e të gjithë aktiviteteve të këtij projekti dhe inkurajoj sinergji për zhvillimin me sukses të të gjithe komponenteve të tij.  


IMG 4316Organizimi i Konkursit me nxënësit e shkollave të zonës KVT me video me smartphonë për zonën KVT.

Ky aktivitet filloj në Prill 2019 në shkollën e Mesme te Bashkuar Ishull Lezhë, Lezhë kishte si objektiv informimin e ndërgjegjësimin e nxënësve, dhe nepermes nxënësve, prinderit e të afermit e tyre dhe te gjithë komunitetin ku banojne e mesojnë, si dhe rritjen e aftesisë për të ngritë zerin për çeshtjet që kanë të bëjnë me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore të ekosistemit Kune - Vain - Tale.
Konkursi u shpall nepermjet komunikimeve me nxenes nga klasat e V-ta deri tek klasat e IX-ta, dhe u formu grupi i nxenesve qe kishin me shume interes dhe  kishin ne perdorim smartphone. Nxënësve e mesuesve i’u shperndanë fletë ku shkruhet gjithçka qe synohet të arrihet nëpermjet ketij aktiviteti.
Me daten 2 Maj 2019, me grupin e formuar me nxënës të klasave të ndryshme, u zhvillu një trajnim si ne klas ashtu dhe ne mjediset e jashtme të kesaj shkolle, dhe kishte si qellim se si te konkretizohet tematika e zgjedhur ne kuadrin e nje video. U inskenuan dhe realizuan disa shembuj nga bashkepunimi midis nxenesve.
Me pas nga stafi i projektit, u mbajten kontakte të vazhdueshme me nxënësit e mesuesit e tyre duke i inkurajuar ne kete aktivitet deri ne realizimin e vidiove. Në vijim është formuar grupi që bën vleresimet e vidiove me mesues, nxenes e Drejtorin e Shkolles, i cili bëri vleresimet e vidiove sipas kritereve të vleresimit të përcaktuara me parë.
Me daten 12 Qershor u organizu ceremonia e shpalljes se çmimeve ne nje mjedis të zgjedhur e të pershtatur për kete qellim. Kjo ceremoni u përshendet nga Drejtori i shkolles Z. Tom Deda, dhe perfaqesuesi i projektit. Në vijim u proçedu me çfaqjen e te gjitha vidiove dhe per çdo çfaqeje u be dhe prezantimi i nxenesve realizues si dhe komente vleresimi nga të pranishmin nxënës e mesues. Ne ketë menyrë, kjo ceremoni kaloj pritshmeritë nga projekti dhe vetë pjesmarresit, ne veçanti për emocionet që percjelli. U bë shpallja e çmimeve fituese për videot më të mira si dhe për nxenesit pjesmarres u bë shpërndarja e çertifikatave.


IMG 5310Tur në zonë me gazetarët e mediave lokale e kombëtare në zonën e mbrojtur KVT e shoqëruar me një konferencë për shtyp në natyrë mbi advokimin për adresimin e zgjidhjeve që kanë të bëjnë me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore të zonës KVT.

Turi me gazetaret u zhvillua më datën 09.08.2019, me 30 pjesmarrës, në zonën e mbrojtur KVT, në një intenerar ku përfshihen të gjitha pikat me kritike që lidhen me situatën mjedisore të kësaj zone.
Para nisjes, gazetarëve iu shpërnda një deklaratë me shkrim në të të cilën përshkruhen në detaje problematikat e vendet e zgjedhura për turin dheqë i shërbente zhvillimit të konferencës. Më pas u ndoq intenerari i Turit, sipas ndalesave tëpërcaktuaramë parë, në zonën KVT. Gjatë turit u zhvillua një konferencëme gazetarët në të cilën eksperti J. Gjini, e konkretizoj fjalën e tij gjatëgjithë kohës me pamjet e terrenit, gjë që e beri mjaft tërheqëse konferencën dhe rriti vëmendjen e pjesmarrësve.
Gjatë konferencës dhe pas fjalës së mbajtur, pati pyetje nga gazetaret, si për arsyet e ndodhjes së ndotjes ne bregdetin e Kunes (eutrofikimi i lagunes Merxhan) etj.
Me pas duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve, në harmoni të plotë me kërkesat e turit si aktivitet të projektit, u bënë intervistat në pikat e zgjedhura sipas problematikave:
- për erozion bregdetar, pjesa veriore e grykëderdhjes së lumit Drin, ku erozioni është mjaft agresiv, duke u ndaluar në interpretimin e shkaqeve, pasojave e rekomandimin e zbutjes apo zgjidhjeve të caktuara.
- Për ndotjen e lumit Drin e ndikimin në bregdet, det e laguna, u ndalëm në grykederdhje.
- Për çeshtjet që lidhen me eutrofikimin u ndalën në kanalin qe lidh lumin Drin me lagunen Zaje. 
Kjo konferencë dhe i gjithë turi u pasqyru në mediat Tv Lezha, Rozafa, ndërsa problematika e mbetjeve në Top Channel.


IMG 6218Trajnim, "Njohja e Planit të Menaxhimit të Zonës se Mbrojtur Kune - Vain - Tale dhe çështjet që lidhen me respektimin e zbatimin e këtij plani".

Trajnimit u zhvilluanë datën 30.09.2019 dhe 01.10.2019 në godinën e AdZM-sënëVain dhe në Biblioteken e Lezhës.
Pjesmarresit u njohen në detaje me planin e menaxhimit të KVT, sa ky plan ka sherbyer në ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit të peisazheve, habitateve dhe biodiversitetit të këtij ekosistemi mesdhetar ligatinore në perdorimine qendrueshëm të burimeve natyrore të këtij ekosistemi. Po ashtu, trajtimi i çeshtjeve që kanë të bejnë me zbatimin e kërkesave të planit të menaxhimit nga stafi i AdZM, detyrat e Komitetit te Menaxhimit, planet zhvillimore tëBashkisë së Lezhës në lidhje me zonat e mbrojtura si dhe pergjegjesit ligjore e detyrat në nivel lokal për çështjet e zonave të mbrojtura, e ngriti formatin e aktivitetit sipas qëllimit të synuar.Pjesëmarresit morën pjese në pyetje e diskutime të shumta në lidhje me tematikën e zgjedhur.
Trajnimi u shoqërua me vizita në terren dhe konkretizoi e inicioi diskutime e replikime të mjaft çeshtjeve që kanë të bëjnë memenaxhimin e vlerave të kësaj trashëgimie natyrore të spikatur.Ky trajnim me një pjesmarrje të gjërë të aktorëve të intersuar ndikoi në aftësimin dhe ndërgjegjësimin e tyre në drejtim të mbrojtjes e përmirsimit të vlerave natyrore të zonës si dhe në rritjen e rolit të tyre për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore te kësaj zone.

1Kronikë televizive për Zonën e Mbrojtur Kune - Vain - Tale.

Për realizimin e kronikes është bashkëpunuar me TVSH, më gazetarin z.Marash Mirashi, dhe kronika është berë pjesë e emisionit Hapesirë e Gjelbërt të ketij televizoni publik si dhe ndodhet e publikuar në YouTube.
Janë kryer xhirimet me datën 12.09.2019 ne të gjithë zonën e mbrojtur Kune Vain Tale, janë kryer edhe xhirime me dron, dhe problematikat e evidentuara janë të shprehura me zërat e të intervistuarve si dhe komentet e zhvilluara nga gazetari për ketë qëllim, të gjitha keto të shoqeruara me pamje nga terreni. Më ne fokus janë venë çeshtjet e administrimit të mbetjeve dhe ne veçanti e pasqyruar me gjendjen ne nivel hotspoti te grykederdhjes se lumit Drin.
E rëndësishme gjatë xhirimeve që e pasqyron kronika ishte pjesmarrja në ketë aktivitet e shumë aktorëve si vezhgues të terrenit, si demostrues për të pastruar territorin, ku përmendim:z.Gjok Jaku, Prefekt i Qarkut të Lezhës; z.Nihat Dragoti, Drejtor Ekzekutiv i INCA; z.Pjeter Toni, Drejtor i AdZM-sa Lezhë; z.Ardjan Laçi, Drejtor i Arsimit, Turizmit, Kultures  e Sporteve të Bashkisë së Lezhës; z.Zef Imeraj Drejtor Ekzekutiv i KEL;z.Jak Gjini, biolog e ekspert mjedisi i KEL, punonjes të AdZM-së,  peshkatarë të kompanisë LURA etj.
Kjo kronikë është pjesë e strategjisë që së bashku me aktivitetet e tjera të advokoje një sërë çeshtjesh e problematikash që kërkojnë zgjidhje e që lidhen me promovimin e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore te ekosistemit te rezervatit natyror Kune - Vain - Tale.

Raport mbi rishikimin e planit të menaxhimit. (Angazhim ekspertize). 

Hartimi i Raportit mbi rishikimin e planit të menaxhimit nga eksperti i mjedisit Jak Gjini, është bazuar nëstudimin e analizen e detajuar të raportit ekzistues të Planit të Menaxhimit të zonës së mbrojtur Kune-Vain-Tale. Po ashtu, gjatë përiudhës 15.09.2019 deri 31.10.2019, janë zhvilluar takime të shumta me administraten e zonës së mbrojtur, me Kryetarin e Komitetit të Menaxhimit të zonës së mbrojtur Kune Vain Tale njëkohësisht dhe Prefekti i Lezhës Z. Gjok Jaku, me antarë të këtij komiteti, më subjekte që ushtrojnë aktivitet ne ketë zone, etj. Janë rishikuar e vlerësuar të gjithë nderhyrjet e aktivitetet që zhvillohen ne ketë zonë, dokumentat të AdZM për të analizuar përputhshmërinë me Planin e Menaxhimit ekzistues. Ky raport ekspetize, i ështëderguar Agjënsisë Kombëtare të Mjedisit, AdZM Lezhë si dhe të gjithë aktorëve kyç që lidhen direkt ose indirekt me administrimin ose përdorimin e burimeve natyrore që ofron kjo zonë e mbrojtur.
Raporti i hartuar, rekomandoj në menyrë të argumentuar e shkencore nevojën urgjente të rishikimit të ketij plani.

Hartimi dhe botimi i një broshure mbi ndikimet e lumit Drin në ekosistemet e Kune Vainit si dhe ndikimit e klimes ne ketë drejtim.

Broshura “Ndikimet e lumit Drin në ekosistemet e Kune - Vain - Tale” u përgatit nga Ing.Zef Imeraj, dhe ka vënë në fokus problematikat kryesore që lidhen me vartësinë gjeomorfologjike, rolin nga pakësimi drastik i prurjeve të lumit Drin në fuqizimin e erozionit bregdetar në të dy anët e deltës së këtij lumi. Në ketë broshurë pasqyrohen gjithashtu, burimet ndotese të lumit Drin dhe ndikimet degraduese të ekosistemit KVT nëpermjet hyrjes së ujrave të ndotura të ketij lumi  në lagunën e Zajës. Ky botim identifikon dhe vlerat natyrore të ekosistemit KVT, trashegimine historike, marrëdheniet e komunitetit të zonës e më gjërë me  burimet natyrore që ofron ky ekosistem si dhe objeksionet e projektit.
Nëpërmjet aktivitetit promovues të datës 16.02.2020, në Biblioteken e qytetit të Lezhës, u advokuan mjaft çeshtje që kane të bejnë me rivitalizimin e lumit Drin, të cilat uadresuan tek organet e qeverisjes vendore e në dikasterin përgjegjës, në favor të ripërtritjes së ekosistemit KV. Aktiviteti theksoj se rivitalizimi i lumit Drin çon në zbutjen e erozionit bregdetar, përshtatjen e zonës ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, ripërtëritjen e habitateve dhe përmisrimin e biodiversitetit.
Pjesmarrja e gjërë në këtë aktivitet i përfaqësuesve të pushtetit vendor, të agjensive ligjzbatuese, shoqatave mjedisore, subjekteve që kanë aktivitet në zonën KVT, të rinjë e student si dhe nga marrja e fjalës nga të pranishmit, i kaloi pritshmëritë. Broshura u është shpërndarë jo vetëm të pranishmeve por dhe institucioneve e të gjithë aktorëve të targetuar nga projekti.


1 CopyEkspozita Fotografike shëtitëse me gjetjet më te mira peisazhike të kompleksit të lagunave Kune - Vain- Tale.

Ekspozita fotografike që evokon vlerat peisazhiste të zonës së mbrojtur natyrore Kune - Vain - Tale nëprmjet 27 pamjeve, u hap me 16.02.2020, në sallën kryesore të godinës së Bibliotekes “Gjergj Fishta” të qytetit të Lezhës.
Në promovimin e kësaj ekspozite morën pjesëpërfaqësues të pushtetit vendor, të agjensive ligjezbatuese, shoqatave mjedisore, subjekteve që kanë aktivitet në zonën KVT, të rinjë e student, qytetarë e vizitorë të shumtë. Për rëndesinë e këtij eventi, foli Presidenti i Klubit Ekologjik Lezhë, Z. Zef Imeraj, eksperti i mjedisit Jak Gjini si dhe u përshëndet nga Z. Renaldo Xhanej, drejtor i Turizmit dhe Kulturës në Bashkinë e Lezhës.
Të panishmit ndaluan në çdo pamje të shoqëruar nga aktivist të Klubit Ekologjik Lezhë për të përshkruar objektet e fokusuara në fotot. Kjo eskpozitë qëndroj e hapur dy javë dhe më pas u çvendsos në shkollat përiferike të zonës Kune - Vain - Tale. 


Projekti "Promovimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore të ekosistemit të rezervatit natyror Kune - Vain - Tale", zbatohet nga Klubi Ekologjik Lezhë në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri – INCA dhe Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës – IUCN.
Ky publikim është prodhuar me asistencë të Komunitetit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është vetëm përgjegjësi e partnerëve që zbatojnë projektin dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.


MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI MES ORGANIZATAVE MJEDISORE TË SHOQËRISË CIVILE PËR NGRITJEN E RRJETIT "MBROJME EKOSISTEMIN KUNE-VAIN-TALE"


Laguna Kune - Vain - Tale përmes fotove
https://www.youtube.com/watch?v=bIwkQ1rX0QQ


Problematikat në laguna marrin vëmendie
https://www.youtube.com/watch?v=rlGCl9ljTC8


Ruajtja dhe promovimi i Zonës së Mbrojtur Kune - Vain - Tale
https://www.youtube.com/watch?v=jXJN8qDekFM


Takim për ndotjen e bregdetit të Kunes në Shëngjin
https://www.youtube.com/watch?v=NK5_8NkZLxk


Dokumentari në Ekosistemin Kune - Vain - Tale
https://www.youtube.com/watch?v=qbfx-gWJSdI


Kalendari i Aktiviteteve

« May 2024 »
Mon Tue Wed Thu Fri Sat Sun
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    

Partnerët e INCA-s

 

INCA në Facebook