Premte, 17 Maj 2024
Login | Mail

INSTITUTI PËR RUAJTJEN E NATYRËS NË SHQIPËRI

Njoftime

Albanian CSOs’ in the EU membership negotiation process

12 Nentor 2020

Albanian CSOs’ in the EU membership negotiation process

Ekosistem Inovativ të menaxhimit të mbetjeve

01 Korrik 2020

Bashkëpunimi i 4 vendeve të rajonit për krijimin e një Ekosistemi Inovativ të menaxhimit të mbetjeve - Projekti S.W.A.N, i...

Udhëzime për të kontribuar në Ditarin e Natyrës

09 Qershor 2020

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri mirëpret artikuj të ndryshëm të cilët ju dëshironi t’i publikoni në Ditarin e...

Fuqizimi i kontributit të sektorit të shoqërisë civile në negociatat për anëtarësimin në BE për Kapitullin 27

27 Maj 2020

Fuqizimi i kontributit të sektorit të shoqërisë civile në negociatat për anëtarësimin në BE për Kapitullin 27” Hyrje Rrugëtimi...

ipa

                         csm logo 0c8a4cdd39          blueland
     ProjektiAdvokacise

Na kontaktoni

facebookwebmailgooglemap
Zona Porto Palermo

Zona Porto Palermo (3)

Merkure, 11 Shtator 2019 15:24

Zonë e Mbrojtur “Gjiri i Porto Palermos-Llamani”

Written by
Zonë e Mbrojtur “Gjiri i Porto Palermos-Llamani”


Vendndodhja: Himarë.


Sipërfaqja e përgjithshme: 2,067.75 ha, nga e cila 315.36 ha (15.25%) tokësore dhe 1,752.39 ha (84.75%) detare.


Zona e mbrojtur Gjiri Portopalermos-Llamani shtrihet në Jug-Lindje të qytetit të Himarës. Kufizohet me Kepin e Alpunit (Prato) të Gjirit të Llamanit, në Veri, dhe përfundon në pjesën Jugore, me Kepin e Spinarasit. Ndërsa në Perëndim me sipërfaqen detare, e cila shtrihet në një distancë nga bregu (nga kepet kryesore: Alpunit, Kavadorit, Panormës dhe Spinarasit) 1 milje detare (1853m).

Mjediset bregdetare-detare e nënujor karakterizohen nga shkëmbinjë dhe gjiret. Takohen Gjiri i Llamanit, Gjiri i Porto Palermos, i cili përbëhet nga dy gjire: Armeridhës dhe Shën Nikollës si dhe Gjiri i Gravës, në Jug.

Livadhet me Posidonia oceanica formojnë lëndina nëndetare, hapsirë e pastër detare-bregdetare dhe nënujore ende të paprishura, fantastike për zhytjen, prania e mbetjeve arkeologjike (amforat) të shekullit II para krishtit, si dhe tri qendra të rritjes së peshkut (marinë-kulturë).

Brenda terriorit gjenden disa rrugë dytësore jo të mirëmbajtura si ato që të çojnë tek Kepi i Alpunit, Gjiri i Llamanit, tek Kepi i Kavadonit, tek gadishulli dhe Kepi i Panorës, tek rrënojat e Kalasë së Kukumit, dhe tek Kepi i Spinarasit, etj.

ZM (e propozuar) krijohet për të ruajtur funksionet esenciale të ekosistemeve, habitateve dhe specieve detare e bregdetasre, të cilat i shërbejnë jetesës së popullsisë vendore.

Bregdeti Jonian është kryesisht shkëmbor, të cilët në mjaft raste bien direkt në det. Pjerrësia është krijuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqeror. Pjerrësitë përgjatë bregdetit janë të mbuluar me bimësi të ndryshme. Depozitat e zhavorrit janë të pranishme në rrymën e deltës së bregdetit. Këto dukujri kanë krijuar plazhet të bukura. Në zonën e mbrojtur nuk dallohen dukuri negative gjeologjike dhe fizike të theksuara.

Struktura gjeologjike e rajonit bregdetar Jugor përbëhet nga depozitimet e periudhës Jurasike deri në periudhën Kuaternarit.

ZM përgjithësisht është e varfër në burime ujore. Në Jug të saj gjendet përroi i Borshit, i cili buron nga Lindja e fshatit të Borshit dhe derdhet në detin Jon. Në gjirin e Llamanit, në pjesën Jugore të tij, gjënden edhe disa burime ujore nëndetare. Burime të tilla gjenden dhe në gjirin e Portopalermos (Armeridhës).

Klima është shumë e ndryshme për shkak të pozicionit gjeografik, amplitudës së madhe të lartësisë mbi nivelin e detit dhe kryesisht për shkka të relievit. Në përgjithësi, zona e mbrojtur ka klimë mesdhetare, për shkak të pozicionit gjeografik dhe shtrirjes së saj. Reshjet mesatare vjetore janë vleresuar nga 1,000-1,200mm. Bien kryesisht në formën e shiut, ndërkohë që dëbora është një dukuri e rrallë. Shumica e rreshjeve bie në periudhën Nëntor-Prill, 70-80% e sasisë vjetore. Në pranverë regjistrohet vetëm 20% e sasisë vjetore të rreshjeve.

Mesatare vjetore luhatet midis 16.1-17.7°C. Në Janar temperatura e ajrit është midis 8 dhe 10°C, kurse në Gusht luhatet midis 24 deri 26° C. Duke qënë se është një zonë bregdetare, era e detit ndikon drejtpërdrejtë në kushtet klimatike, në veçanti në periudhën e verës. Nga Nëntori deri në Mars drejtimi kryesor i erës është Lindja, ndërsa gjatë pranverës drejtimi i erës është Jug-Veriperëndim.

Të dhënat studimore dhe ato të mbledhura nga kërkimet e fundit në rajonin bregdetar Jugor të Shqipërisë tregojnë një florë të pasur dhe diversitet të madh të habitateve, shoqërimeve bimore, të specieve me një rëndësi të veçantë kombëtare, nga pikëpamja shkencore, ekologjike dhe socio-ekonomike.

Përbërja floristike e kësaj bashkësie konsiston kryesisht edhe në speciet: Anagyrris feotida, Salvia triloba, Lotus cytisoides, Phlomis fruticosa, Glaucium flavum, Galium aparine, Pistacia terebinthus, Salvia triloba, Calicotome villosa, Spartium junceum, Ruscus aculeatus, Asparagus acutifolius, Urginea maritima, Asphodelus aestivus, Chrysopogon gryllus, Acanthus spinosus, Trifolium angustifolium, Brassica incana, Paliurus spina-christi.

Bimësia e shkëmbinjve bregdetare. Bimësia xero-halophytic e klasës Crithmo-Limonietea dominon shtresën më të ulët mbi nivelin e veprimit të valëve. Llojet më të zakonshme në këtë zonë janë Crithmum maritimum, Limonium anfractum, Elymus pycnanthus, Desmazeria marina, Lotus cytisoides, etj., të cilat përfaqësojnë bashkësitë endemike Crithmo-Limonietum anfracti.

Barërat e detit janë të llojeve Magnoliophytes detare. Formojnë shtretërit nënujor, të cilat janë habitate të rëndësishme për ekosistemet detare. Ato ofrojnë ushqim dhe strehim për një numër të madh të specieve detare. Gjithashtu parandalojnë erozionin në plazh, duke stabilizuar sedimentet me rizomat e tyre.

Në zonë janë të pranishme tre lloje bimësh: Posidonia oceanica, Cymodocea nodosa dhe Halophila stipulacea.Posidonia oceanica ose bari i detit është lloji më i bollshëm, që formon livadhe të mëdha në thellësi të cekët dhe të mesme. Livadhet me Posidonia oceanica janë ndër habitatet më të rëndësishme të Mesdheut, dhe ruajtja e tyre është një prioritet i lartë kombëtar dhe ndërkombëtar (Direktiva për Habitatet BE 92/43/CEE, 21 maj 1992). Posidonia oceanica është përfshirë gjithashtu në Listën e Kuqe të Florës Shqiptare (2013).

Në ujërat e cekët (2-3 m) brenda gjirit, janë identifikuar zona të vogla të mbuluara me njolla Cymodocea nodosa, pjesërisht të shoqëruara me Halophila stipulacea.

Marrëdhëniet simbiotike të bashkëkzistencës së njeriut me natyrën i japin një vlerë të veçantë dhe mjaft domethënëse e parkut natyror të Gjirit të Porto Palermos-Llamani, në kuptimin kulturor, historik, arkeologjik dhe shpirtëror.

Ëshë një zonë me bukuri natyrore të shquar. Peizazhi është tejet i bukur me malet e lartë, bregdet shkëmbor, gjire, gadishuj, det të kaltër e të pastër. Ndërhyrjet njerëzore janë ende në harmoni me natyrën, nuk e dominojnë atë, me perjashtim të disa dukurive të kohëve të fundit. Përdorimi i tokës dhe ekonomia vendore reflektohen në peizazh, përveç disa rasteve të zjarreve. Gjithashtu, të dhënat e ekspertëve të peshkimit dhe blegtorisë tregojnë ekzistencën e rrjetave të peshkimit dhe përdorimit të tokës për kullotje, që në kohë të hershme. Kasollet dhe stanet i përkasin traditës dhe i japin një tjetër dimension ndërhyrjes njerëzore në formimin e peizazhit.

Trashëgimia kulturore e bregdetit jugor është e rëndësishme për nga vlerat që lidhen me identitetin dhe të kaluarën. Himara është një vendbanim i lashtë qysh në shekullin e V p.e.r. Burimet e shkruara, dëshmojnë se Himara, në lashtësi, ishte vendi i fisit të Kaonëve, fisi rëndësishme i Epirit, krahas Mollosëve dhe Thesprotëve. Fiset Kaone zotëronin Epirin para Mollosëve. Plini (referon se emri Kaoni, vinte nga Kaonët e bregdetit të Akrokeraunëve, ku ndodheshin fortesat Himara, poshtë së cilës ndodhej burimi i ujit mbretëror dhe më tej Meandria (qyteti antik në Borsh), Kestrina etj.

Në territorin e parkut ndodhen disa objekte të rëndësishme historike si Kalaja e Porto Palermos (Ali Pashë Tepelenës) dhe Kisha e Shën Nikollës. Kalaja gëzon statusin e Monumentit të Kulturës, qysh prej vitit 1948.

Bukuritë e natyrës dhe shpirti i njerëzve janë pasqyruar me tërë forcën e tyre edhe në këngët polifonike të rralla të Bregut. Këto vlera historike dhe kulturore e bëjnë më tërheqëse këtë krahinë për turistët e huaj dhe shqiptarë. Bukuria natyrore së toku me këto vlera, bëhet akoma më e bukur e më madhështore.
Shtune, 06 Korrik 2019 10:19

Problematikat

Written by
PROBLEMATIKA:


Procesi i identifikimit dhe analizimit të problemeve kryesore dhe të ndikimeve negative në menaxhimin e parkut, janë mbështetur edhe në dispozitat e ligjit nr. 81, datë 04.05.2017 “Për zonat e mbrojtura”, në lidhje me veprimtaritë e lejuara, të ndaluara dhe që kërkojnë leje, sipas kategorive të zonave të mbrojtura, në dokumentet strategjike dhe politikat kombëtare, në raportet e gjendjes në mjedis, në raportet dhe monitorimet për ndikimet në ZMM dhe të bashkëbisedimeve me grupet e interesit. Veç kësaj për procesin e identifikimit dhe analizimit të problemeve kryesore dhe të ndikimeve negative në menaxhimin e parkut, u këshilluam edhe me planin e menaxhimit.

Të gjitha ndikimet e identifikuara janë shqetësime të banorëve dhe të përdoruesve të burrimeve natyrore, të administratave përkatëse, të cilët kanë marrë pjesë aktive në hartimin dhe miratimin e listës së impakteve.Varësisht nga rëndësia e problematikave të shtruara në bashkëbisedimet e hapura me grupet e interesit për të finalizuar listën e faktorëve të degradimit dhe të ndikimeve negative në territorin e ZMM.


LISTA E RREZIQET KRYESORE TË ZONËS SË MBROJTUR DHE RRETH SAJ
  • Veprimtaritë sociale-ekonomike, turistike, ndërtimore dhe përdorimi i teknologjive intensive, mjetet dhe mënyrat që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, strukturën dhe funksionet e ekosistemeve tokësore e detare.
  • Veprimtaritë ku përfshihet shfrytëzimi dhe modifikimi i tokës apo shfrytëzimi i nëntokës në pjesë të territorit të zonës, shtratit të detit apo nëntokës së tij.
  • Humbja dhe fragmentimi i habitateve, pёrkeqёsimi i gjendjes sё specieve vulnerabёl apo tё rrezikuara, shkatërrimi i vegjetacionit dhe kullotave nga zjarret.
  • Futjen e specieve jo indigjene/vendase, të specieve gjenetikisht të modifikuara, si dhe futjen apo rifutjen e specieve që ekzistojnë aktualisht ose kanë ekzistuar më parë.
  • Dëmtimi i livadheve të posidonias nga peshkimi, marinë-kultura, anijet, spirancat, dinamiti, ndotja.
  • Urbanizimi bregdetar-detar, ndërtimet dhe veprimtaritë social dhe ekonomike tëpakontrolluara apo dhe ndërtimi i moleve të ankorimit jahteve.
  • Hedhja e mbeturinave,mbetjeve të ngurta, inerteve, të lëndëve të tjera të rerzikshme, helmuese, plasëse, të plehrave dhe pesticideve dhe e çdo lloj lëndeje nga anijet, instalimet dhe nga bregdeti.
  • Fundosja e anijeve, e ngarkesave dhe e mallrave të çdo lloji e tipi dhe mbeturinat të tjera të rënda që mund të zhyten në fundin e detit.
  • Mbishfrytёzimi dhe pёrdorimi jo i qёndrueshёm i rezervave natyrore (peshkim, kullotё, bimё mjekёsore, etj).
  • Shqetёsimi dhe keqtrajtimi i kafshёve, pёrfshirё gjuetinё ilegale tё tyre dhe pёrdorimi i mjeteve e metodave tё ndaluara janё tё prekshme nё zonёn e mbrojtur dhe rreth saj.
  • Prania e marinë-kulturёs, pёrdorimi i ushqimit, antibiotikёve dhe akumulimi i eskrementeve nga peshqit, ushtron njё trysni tё lokalizuar dhe relativisht tё fortё nё mjedis dhe kontribuonё nё ndotjen dhe uljen e cilёsisё sё ujit.
Shtune, 06 Korrik 2019 10:19

Aktivitetet e projektit

Written by

53617044 804317836612833 4282577698330509312 nKrijimi i një rrjeti të organizatave lokale për avokim dhe lobim për shpalljen e Porto Palermos - Zonë e Mbrojtur Detare

Në 12 Mars 2019, në mjediset e Qendrës Rinore, Vlorë, u organizua aktiviteti: "Krijimi i një rrjeti të organizatave lokale për avokim dhe lobim për shpalljen e Porto Palermos - Zonë e Mbrojtur Detare".

Aktiviteti kishte në fokus krijimin e një rrjeti të organizatave lokale e të individëve të interesuar, për të advokuar dhe lobuar në pushtetin vendor dhe qendror, në lidhje me dhënjen e statusit  Zonë e Mbrojtur Detare, Porto Palermos.

Takimi u hap nga z. Nikollaq Dumani, drejtor ekzekutiv i shoqatës PPNE. Z. Dumani bëri prezantimin e projektit, të mbështetjes financiare nga BE dhe zbatuar nga INCA. Z. Xhemal Mato, ekspert i mjedisit dhe medias argumentoi  domosdoshmërinë e një statusi mbrojtës, për ta ruajtur pasurinë  mjedisore nënujore të Porto Palermos. Zona shquhet për një biodiversitet të pasur, si dhe janë gjetur objekte kulturore si psh. anfora. Në takim u theksua se zona i ka të gjitha potencialet për të zhvilluar ekoturizmin dhe duhen ndaluar ndërtimet të cilat rrezikojnë natyrën dhe peizazhin e mrekullueshëm të Gjirit të Porto Palermos, por që të mbrohet nga zhvillimet e paqendrueshme, kjo zonë ka nevojë për një status mbrojtës.

Përfaqësues të shoqatës së Himarës ODHISSYA, ngritën shqetësimin e një resorti turistik që është planifikuar të ndërtohet në zonë. Në lidhje me këtë problematikë, shoqatat do të ngrenë zerin në nivel lokal dhe qendror, për ti frenuar zhvillime të tilla turistike të paqendrueshme dhe do të kërkojnë që Porto Palermo, të shpallet Zonë e Mbrojtur Detare.

Shoqatat dhe individë të interesuar (pedagog të Universitetit të Vlorës, specialist të mjedisit etj.) dakortësuan për të qenë pjesë e një rrjeti që do të advokoj dhe loboj për çështjen. Nga diskutimet rrjeti u vendos të quhet “Riviera Blu”.


74398217 2350241568417768 9105136187105869824 oTrajnim “Forcimi i kapaciteteve të rrjetit për komunikimin efektiv me median, në funksion të fushatës së advokacisë dhe lobimit për Gjirin e Porto Palermos”

Në 31 tetor 2019, në mjediset e Qendrës Rinore Vlorë u mbajt trajnimi “Forcimi i kapaciteteve të rrjetit për komunikimin efektiv me median, në funksion të fushatës së advokacisë dhe lobimit për Gjirin e Porto Palermos”.
Trajnimi u zhvillua nga eksperti i mjedisit z. Xhemal Mato, me një eksperiencë të gjerë në fushën e komunikimit me median. Z. Mato theksoi ndër të tjera rëndësinë e mjeteve të komunikimit masiv për informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe politikanëve, me të cilat OSHC-të duhet të bashkëpunojnë. Gjithashtu e vuri theksin tek vërtetësia e informacionit në fushën e mjedisit, pasi gjykimi i publikut varet nga informacioni që i ofrohet. Nikollaq Dumani prezantoi punën dhe aktivitetet e realizuara nga shoqata në drejtim të advokacisë dhe lobimit që Gjiri i Porto Palermos të shpallet Zonë e Mbrojtur Detare. Ai vlerësoi ndihmën që shoqata INCA ka dhënë për rrjetin në realizimin e fushatës advokuese dhe lobuese: në aspektin teknik të fushatës por edhe nëpërmjet literaturës përkatëse si psh. “Doracaku për ndikimin në politikat e ruajtjes së natyrës përmes advokim-lobimit efektiv”, Studimi ekologjik i Gjirit të Porto Palermos etj. Znj. Emirjeta Adhami, eksperte ujërsh pranë INCA-s prezantoi përfitimet që ka komuniteti nga menaxhimi dhe përdorimi i resurseve natyrore dhe kulturore që ka zona. Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive dhe pati diskutime nga të pranishmit e sugjerime. Aktiviteti u publikua i plotë në median lokale Vlora News. 


57289374 2004384046336857 3523383671178395648 oTrajnimi “Advokaci dhe lobim për mbrojtjen e bregdetit dhe detit të Jugut”

Në 12.04.2019, në mjediset e Hotel Prinos, Himarë u zhvillua trajnimi: “Advokaci dhe lobim për mbrojtjen e bregdetit dhe detit të Jugut”. Takimi u hap nga z. Nikollaq Dumani, në cilësinë e drejtuesit të shoqatës “Për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror”, Vlorë dhe në cilësinë e ekspertit të trajnimit për çështjet e advokacisë dhe lobimit, i cili u prezantoi pjesëmarrësve projektin dhe qëllimin e trajnimit. Trajnimi kishte në fokus ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të rrjetit të organizatave lokale, për të zhvilluar një fushatë advokacie efektive dhe lobim  në pushtetin vendor dhe qëndror, për të kërkuar që Gjiri i Porto Palermos të shpallet Park Kombëtar Detar. Më pas fjalën e pati  z. Nihat Dragoti, Drejtor Ekzekutiv i shoqatës “Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri”(INCA).                                            
Z. Dragoti e vuri theksin tek zhvillimi i ekoturizmit, nevojën për sensibilizimin e komunitetit për mbrojtjen e burimeve natyrore për zhvillim të qendrueshëm, të cilat mund të arrihen nëpërmjet një pune të bashkërenduar. Duhet të forcohet roli i organizatave lokale dhe komunitetit për të advokuar dhe lobuar që të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes, shtoi më tej z. Dragoti.    Më pas z. Dumani shpjegoi konceptet e advokacisë dhe lobimit,  elementët bazë të advokacisë, identifikimin e çështjes, përcaktimin e qëllimit dhe objektivave të advokacisë, përcaktimin e audiencave për qëllime të avokatësisë, përgatitjen dhe shpërndarjen e mesazhit, krijimin e rrjeteve etj. Pas anës teorike të trajnimit, pati shumë diskutime nga të pranishmit. Një përfaqësues i komunitetit ishte i interesuar të krijonte organizatë lokale me fokus mbrojtjen e mjedisit, ndaj organizata “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror, Vlorë dhe përfaqësues të tjerë të rrjetit  do të ndihmojnë në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të organizatës së re që do të krijohet. Një nga pjesëmarrësit ngriti problematikën e mungesës së organizimit në Himarë, ndaj rrjeti do të lehtësoj në organizimin e komunitetit, për të reaguar në mbrojtjen e burimeve natyrore të Porto Palermos.  Një tjetër shqetësim që u ngrit ishin 4 resortet që janë planifikuar të ndërtohen në zonë, të cilat janë në kundërshtim me zhvillimin ekoturistik dhe të qendrueshëm të zonës.  Banorët e Himarës kishin shqetësim kryesor problemin e pronave, gjë e cila u reflektua vazhdimisht në diskutimet e tyre.
Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave lokale, komunitetit, pushtetit vendor, operatorëve turistik, biznesit dhe medias.


62004821 2084172555024672 8836992982155526144 o 1Vizita studimore “Vlerat e biodiversitetit në Gjirin e Porto Palermos”

Në 3 qershor 2019, në Porto Palermo, Himarë u zhvillua vizita studimore “Vlerat e biodiversitetit në Gjirin e Porto Palermos”
Takimi u hap nga drejtori i shoqatës “Për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror”, Vlorë, z. Nikollaq Dumani, i cili fillimisht prezantoi qëllimin dhe objektivat e vizitës studimore.
Më pas z. Dumani mbajti prezantimin “Përshkrimi i vlerave të biodiversitetit” dhe “Biodiversiteti nënujor, klasa e Molusqeve”.  Z. Dumani e vuri theksin tek domosdoshmëria e statusit mbrojtës për Porto Palermon, që të mos dëmtohet siç është bërë në zonat e tjera bregdetare. Ai u ndal tek legjislacioni dhe konventat e ratifikuara nga Shqipëria për ruajtjen e ujërave detare, peizazheve etj.
Një ndër vlerat e spikatura të biodiversitetit nënujor floristik të Gjirit të Porto Palemos është edhe Posidonia e cila është në rrezik. Ndaj  duhet advokuar dhe lobuar në bashkëpunim me rrjetin dhe komunitetin  që të kërkohet që Gjiri i Porto Palermos, të shpallet Zonë e Mbrojtur Detare.
Më pas z. Xhemal Mato mbajti prezantimin: “Pse një Park i Mbrojtur, ka vlera të mëdha për turizmin? Pasuritë natyrore e kulturore dhe zhvillimi i qendrueshëm”
Z. Nihat Dragoti, drejtor i INCA-s, e vuri theksin tek shërbimet e ekosistemit dhe të menaxhimit të burimeve natyrore të Gjirit të Porto Palermos, nga komuniteti.
Znj. Emirjeta Adhami, eksperte e ujërave, pranë INCA-s, në vijim të idesë së z. Dragoti, shtoi: “Duhet të krijohet një model i pjesëmarrjes në menaxhimin e qendrueshëm të burimeve natyrore, e cila sjell përfitime ekonomike për vetë komunitetin, duke i përdorur por edhe duke i ruajtur burimet natyrore. Janë identifikuar 3 ekosisteme: ekosistemet tokësore, detare dhe pelagjike nga të cilat do të përcaktohen përfitimet që mund të nxjerr komuniteti, duke i përdorur dhe mirëmbajtur”. Më tëj znj. Adhami tha se do të bëhet një vlerësim ekonomik i shërbimeve të ekosistemit: vlera ekonomike që do të përfitojnë nga shërbimet e ekosistemit, si dhe përllogaritja e vlerës ekonomike që do të humbasin nëse do ti dëmtojnë ekosistemet. Do të zhvillohen takime në komunitet me grupe të ndryshme të interesit për të vlerësuar dhe idetë e banorëve mbi aktivitetet që ata mund të zhvillojnë, pa i cënuar resurset natyrore.
Rishikimi i Planit të Menaxhimit, me qasjen e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të burimeve natyrore nga komuniteti do të krijoj më tepër mundësi për advokim, për të kërkuar mbështetje ligjore.
Pas prezantimeve u zhvilluan diskutime nga të pranishmit.                              
Z. Anesti Dhimojani, përfaqësues i komunitetit dhe i shoqatës “Bregdeti”, e vlerësoi si mjaft të rëndësishme idenë e menaxhimit të burimeve natyrore nga komuniteti, e cila sipas tij, do të gjej mbështetje nga komuniteti. Nga ana tjetër ai e sheh të vështirë mentalitetin e komunitetit, ndaj duhet punuar në këtë drejtim, pasi ndodh rëndom që ato nuk bien dakort me njëri –tjetrin.
Pjesëmarrësve ju shpërnda “Studimi ekologjik i Gjirit të Porto Palermos dhe zonave përreth” dhe “Analiza socio-ekonomike dhe studimi mbi zhvillimin e turizmit në Gjirin e Porto Palermos”, të realizuara nga INCA dhe ju dha pjesëmarrësve informacion mbi shërbimet e ekosistemeve që ofron zona.
Gjithashtu, u zhvilluan vëzhgime në terren. Në pjesën e vizitës studimore në terren, ishin parashikuar shëtitje me varka dhe zhytje me maska, por për shkak të kushteve shumë të këqija të motit të cilat ndryshuan ditën e fundit, këto aktivitete nuk u realizuan dot. Aktiviteti u publikua në televizionin lokal EDEN3 Tv.


Projekti “Ngritja dhe forcimi i kapaciteteve të rrjetit të organizatave lokale për mbrojtjen e mjedisit dhe advokacinë për shpalljen zonë e mbrojtur detare të Porto Palermos” zbatohet nga shoqata PPNEA, Vlorë, në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri – INCA dhe Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës – IUCN.
Ky publikim është prodhuar me asistencë të Komunitetit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është vetëm përgjegjësi e partnerëve që zbatojnë projektin dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.


Takimi i INCA në Tiranë


Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e MJedisit Natyror


Vlerat e Biodiversitetit në Porto Palermo

Kalendari i Aktiviteteve

« May 2024 »
Mon Tue Wed Thu Fri Sat Sun
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    

Partnerët e INCA-s

 

INCA në Facebook